F j a l g j ë

Eugène Delacroix, Liberty Leading the People, July 1830

Eugène Delacroix, Liberty Leading the People, July 1830

Kërcënimi nga konformizmi

nga Hannah Arendt

Pothuajse çdo amerikanë i kthyer nga Europa këto vitet e fundit ka vënë re — jo me pak hidhërim — rëndësinë e madhe që i është dhënë në Europë gjithë çfarë ne kemi quajtur McCarthyism. Amerikanët janë përgjithësisht të prirur të konsiderojnë këtë theksim të gabuar dhe ka të ngjarë, pavarësisht simpative të tyre, t’i shohin këto përvoja si një tregues të imazhit të shtrembëruar të Amerikës jashtë vendit. 

Një pikë shpesh anashkalohet në këtë vend. Përvoja me totalitarizmin, si në formën e një lëvizje totalitare ashtu edhe si një sundim i drejtpërdrejt totalitar, janë të njohura për të gjitha vendet europiane me përjashtim të Suedisë dhe Zvicrës. Për amerikanët, këto përvoja dukeshin të çuditshme dhe “jo-amerikane”, aq të huaja saç duken për europianët përvojat specifikisht moderne amerikane. Përgjigja standarde ndaj viktimave të nazizmit dhe bolshevizmit ka qenë, në një mase ende është, “Kjo nuk mund të ndodh këtu”. Për europianët, McCarthyism-i duket të jetë prova përcaktuese e diçkaje të tillë. 

Ka dy mundësi. Mund ta marrësh pretendimin e hetuesve të mirëqenë. Të besosh së bashku me ta: jo vetëm që Rusia sovjetike përbën problemin më të madh të politikës së jashtme amerikane(gjë që është qartësisht e vërtetë), por që bolshevizmi në formën e një konspiracioni së brendshëm gjen shtrirje në të gjitha nivelet e popullatës deri në pozitat më të larta të qeverisë amerikane. Në këtë rast përfundimi i pashmangshëm është se mund të ndodh edhe këtu, dhe nëse nuk ndodh, kjo nuk është vetëm fal veprimtarisë së senatorëve hetues. Nga ana tjetër, nëse nuk i zë besë mitit të një konspiracioni të brendshëm nga lart poshtë, është e lehtë të vësh re në metodat e këtyre komiteteve karakteristika të njohura dhe dashakeqe, përfshi edhe fabrikimin tradicional të një miti konspirativ. Rrjedha e arsyetimit është e qartë, veçanërisht për europianët. Ky reagim mund të jetë i bezdisshëm dhe shpesh e fyes; mund të lëndoj disa ndjenja, por nuk do të bëj dëm në kohë. 

Një tjetër aspekt ka shumë më tepër rendësi në këtë çështje. Në prizmin e rëndësisë dhënë kësaj çështje, është interesante të shohim sesi në Europë është raportuar kaq pak për kundërshtinë e hasur ndaj McCarthyism-it i cili bën jehonë në gjithë Shtetet e Bashkuara. Edhe europianët më të informuar presin që çdo amerikanë të ketë të njëjtin këndvështrim për këtë çështje, mënyra sesi e shohin këtë pozicion —jo si opinion individual të një qytetari amerikanë, por si qëndrim amerikan në tërësi —është thellësisht shqetësues. Kështu del në pah një pritshmëri karakteristike europiane e përballjes me një lloj konformizmi i cili nuk ka nevojë për kërcënime apo dhunë, por del vetvetiu në një shoqëri e cila kushtëzon aq mirë çdo anëtarë të saj ndaj kërkesave të saja , saqë askush nuk e kupton se është i kushtëzuar. Kushtëzimi i individëve ndaj kërkesave të shoqërisë pat qenë konsideruar qysh herët si një prirje karakteristike e demokracisë amerikane. Afërmendsh, u bë arsyeja kryesore se përse Amerika mund të zhvillohej në një makth për Europën — madje edhe për pjesën liridashëse të saj —diçka që amerikanët u është e vështirë ta kuptojnë.

Historikisht, konflikti europian mes Shtetit dhe individit është zgjidhur shpesh në kurriz të lirisë individuale. Këtë, amerikanët e kanë parë si provë e flijimit së lirive njerëzore në emër të Shtetit. Vet europianët, nga ana tjetër, e shihnin situatën në termat e konfliktit mes Shtetit dhe shoqërisë, kështu që individi, edhe kur liria e tij ishte dhunuar nga qeveria, mund të gjendet një strehë relativisht të sigurt në jetën e vet shoqërore dhe private. Sundimi total – jo nga ndonjë qeveri, as despotizmi absolut apo diktatura moderne – nuk ja ka mbërritur të shkatërroj këtë sferë private sociale, këtë strehë të lirisë individuale. Frika europiane në lidhje me realitetin amerikan ka qenë përherë se një strehë e tillë në shoqëri nuk mund të ekzistoj në Amerikë, pikërisht pasi ata ndjen se dallimi mes qeverisë dhe shoqërisë nuk ekzistonte. Makthi europian qëndronte te fakti se nën kushtet e sundimit të shumicës, shoqëria vet do të bëhej shtypësi, si e tillë nuk do të ngelej asnjë hapësirë për lirinë individuale. 

Në fjalët e Tokvilit, “kurdoherë kur kushtet shoqërore janë të barabarta, opinioni publik ushtron një presion aq të madh në mendjet e çdo individi” saqë “shumica nuk ka nevojë ta detyrojë me forcë, e bind atë;” detyrimi jo i dhunshëm përmes papajtueshmërisë publike është aq i fortë, saqë i shqendërzuari nuk ka ku të mbështetet në vetminë dhe pafuqinë e vet, si rrjedhojë do të përfundoj në konformizëm ose dëshpërim. Nëse aktualizojmë Tokvilin në kushtet moderne, nëse përpiqemi ta shohim mendimin e sotëm europian në këto terma, atëherë mund të themi se europianët druajnë se terrori dhe dhuna nuk do të jetë të nevojshme për të zhdukur lirinë në Amerikë. Shqetësimi europian zë fill në bindjen se liria mund të zhbëhet nëpërmjet disa dakordësive të përgjithshme, në njëfarë lloj procesi të përshtatjes së ndërsjellët. Deri tani, kjo është diçka që nuk ka ndodhur ende në asnjë pjesë së botës perëndimore. 

Rreziku nga konformizmi dhe kërcënimi që paraqet për lirinë është brenda shoqërive të masave. Por rëndësia e tij është errësuar së fundmi nga tmerret e terrorit, sidomos kur kombinohet me propagandën ideologjike, forma specifike totalitare e organizmit të masave të mëdha e të pastrukturuara. Kjo metodë shërbeu si instrument, si për të shkatërruar ç’kishte ngelur nga klasat e vjetra apo kastat, ashtu dhe për ngritjen e klasave apo grupeve të reja, gjë që përbën arritjen e zakonshme të revolucioneve të suksesshme. Në kushtet e ekzistencës tanimë të një shoqërie të masës—ndryshe nga shpërbërja klasore proceset e të cilave përshpejtohen nga lëvizjet totalitare—nuk është pa gjë se elementet totalitare munden për një kohë të caktuar të mbështeten në konformizëm, ose më mirë në aktivizimin e një konformizmi të fjetur, për interes të vet. Në fazat fillestare, konformizmi mundet të përdoret bindshëm për ta bërë terrorin më pak të dhunshëm dhe ideologjinë më pak të ngulitur; dhe kështu, do të shërbente për ta bërë tranzicionin nga një klimë lirie në stadin e atmosferës para-totalitare më pak të dukshëm. 

Në Amerikë, pasojat potencialisht të rrezikshme ose efekti anësor i barazisë së kushteve ( mungesa e sistemit të klasave të cilat, më shumë sesa veç numra, përbën cilësinë përcaktuese të shoqërisë së masave) kanë qenë të largëta, por do të qëndrojnë të tilla përsa kohë Kushtetuta ngelet e paprekur dhe “institucionet e lirisë” funksionojnë. Në Europë , sistemi i vjetër i klasave është duke u zhbërë pakthyeshmërisht, dhe edhe pse në një atmosferë jo-totalitare është duke u shndërruar me shpejtësi në një shoqëri të masave. Masat mbrojtëse kundër rreziqeve më të mëdhaja të konformizmit të cilat kanë mbrojtur Amerikën nuk ekzistojnë në më të shumtën e rasteve. Aty ku ekzistojnë, janë pjesërisht të importuar nga Amerika, dhe në të tërësinë e tyre nuk kanë mundur të provojnë veten po aq sa dhe njerëzit s’janë edukuar për përdorimin e tyre. Nga ana tjetër, masat mbrojtëse specifikisht europiane—zakonet dhe traditat—e kanë provuar tashmë se janë të padobishme përballë krizave dhe rrethanave moderne. Kur europianët shohin konformizmin në Amerikë, me të drejtë alarmohen; veçanërisht masat mbrojtëse kundër rrezikut së brendshëm të konformizmit janë më pak të dukshme për ta nga jashtë, dhe europianët kanë të drejtë në gjykimin e tyre se pa këto masa konformizmi mundet të jetë po aq vdekjeprurës , sa çdo formë gjakatare e organizmit modern të masave.

Amerika ka sigurisht, një përvojë më të gjatë me konformizmin sesa Europa. Në diskutimet rreth kësaj çështje, europianët adoptojnë natyrshëm qëndrimin se “Nuk mund të ndodh këtu”, ashtu siç amerikanët bën kur mësuan rreth totalitarizmit. Në realitet, çfarë mund të ndodh në Europë mund të ndodh edhe në Amerikë, dhe e anasjelltas, sepse, pavarësisht gjithë ndryshimeve, historia e të dy kontinenteve është thelbësisht e njëjtë. Zaten, meqë qytetërimi perëndimor ka përhapur influencën e vet në të gjithë globin, momenti kur do të mund të themi se çfarë ndodh në një vend mund të ndodh po ashtu në një tjetër po afrohet së shpejti. Në këtë çështje, gjithsesi, si në çështjen e luftës bërthamore, Europa e ndjen veten më të ekspozuar ndaj rrezikut të këtij zhvillimi sesa Amerika. Ashtu siç ndjen se qytetet e saj janë më të hapura ndaj sulmeve dhe lehtësisht të shkatërrueshme, ashtu edhe ndjen se institucionet e saj politike janë më pak të qëndrueshme, më pak të rrënjëzuara , dhe liritë e saj më shumë të ekspozuara ndaj krizave së brendshme. 

Në realitet, procesi që europianët e shohin si “amerikanizim”, është shpërfaqja e modernitetit me gjitha ngatërrimet dhe implikimet e veta. Ka të ngjarë që ky proces të përshpejtohet – dhe jo to ngadalësohet – përmes federatës europiane, e cila është gjithashtu një kusht sine qua non për mbijetesën e Europës. Nëse kjo federatë europiane do të shoqërohet ose jo me ngritjen e nacionalizmit pan-europian anti-amerikan, siç shumë druhen sot, mbetet për t’u parë; por unifikimi i kushteve ekonomike dhe demografike është më se e sigurt të krijoj një gjendje shumë të ngjashme me atë çfarë ekziston tanimë në Shtetet e Bashkuara. 

Një qind e njëzet vjet më parë imazhi i europianëve për Amerikën ishte ai i demokracisë. Edhe pse një pjesë e europianëve nuk e donin një gjë të tillë, u desh ta pranonin sepse e dinin fort mirë se ajo përfaqësonte një pjesë a parcelë të historisë së Perëndimit. Sot imazhi i Amerikës është moderniteti. Është ai imazh i botës që ka lindur nga epoka moderne, e cila solli në jetë si Europën e sotme ashtu edhe Amerikën. 

Problemet qendrore të botës sot janë organizmi politik i shoqërisë të masave dhe integrimi politik i fuqisë teknike. Për shkak të fuqisë shkatërruese që mbartin këto probleme, Europa nuk është ende e sigurt nëse do të mundet të pajtohet me botën moderne si të tillë. Si rezultat, ajo përpiqet t’ja mbath pasojave të historisë së saj me pretekstin e ndarjes nga Amerika. 

Imazhi i Amerikës që ekziston në Europë mund të mos na thotë shumë për realitetin amerikan apo jetët e qytetarëve të Shteteve të Bashkuara, por nëse jemi gatshëm të mësojmë, na thotë diçka rreth frikës së justifikuar të Europës për identitetin e saj shpirtëror dhe madje shqetësimeve më të thella për vetë ekzistencën e saj fizike. Këto frikëra dhe brenga nuk janë veçanërisht europiane, pavarësisht seç mund të na thonë europianët. Ato janë frikërat e gjithë botës perëndimore – dhe në fund të fundit, të mbarë njerëzimit.

 

Botuar për herë të parë në vitin 1954.

 

Shqipëroi nga orgjinali: Evi Xhaja

Komente

Mund të lësh një koment këtu:

Pa komente ende!

+ Mbështet!
Pajtohu!