Hannah Arendt
Kriza në arsim (I)
nga Hannah Arendt
Hannah Arendt ishte një studiuese dhe filozofe gjermano-amerikane. Ajo ka qenë një prej teoricieneve politike më me ndikim në shekullin e njëzetë. Po sjellim këtu pjesën e parë të esesë botuar në 1954 me titull "The crisis in education". Shkruar 71 vite më parë dhe trajton kryesisht krizën në sistemin arsimor amerikanë, megjithatë vazhdon të na flas ende sot, jo vetëm për Amerikën por edhe për vet ne.
I
Kriza e përgjithshme që ka kapluar botën moderne kudo dhe gati në çdo sferë të jetës manifestohet ndryshe në secilin vend, duke përfshirë fusha të ndryshme dhe duke marr forma po aq të ndryshme. Në Amerikë, një prej aspekteve më karakteristike dhe domethënëse është kriza e përsëritur në arsim që të paktën gjatë dekadës së fundit, është bërë një problem politik i dorës së parë, raportuar thuajse përditë në gazeta. Sigurisht, nuk ka duhet fort imagjinatë për të qëmtuar rreziqet e një rënie të vazhdueshme të standarteve elementare përgjatë gjithë sistemit shkollor, dhe serioziteti i këtij problemi është nënvizuar si duhet nga përpjekjet e pafundme, por të pafrytshme, të autoriteteve arsimore për të shtrënguar rripin. Megjithatë, nëse krahasohet kjo krizë në edukim me përvojën politike të vendeve të tjera në shekullin e njëzetë, me përshtjellimet revolucionare pas Luftës së Parë Botërore, me kampe përqëndrimi dhe shfarosje, apo edhe me shqetësimin e pamatë i cili, pavarësisht pamjes së begatisë, është përhapur në gjithë Europën që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, është deri diku e vështirë që një krizë në arsim të trajtohet me seriozitetin që i takon. Është patjetër joshëse ta konsiderosh atë si një fenomen lokal, të palidhur me çështjet më të mëdha të shekullit, të pandehet si veçanësi të jetës në Shtetet e Bashkuara të cilat janë të pashoqe gjetkë në botë.
Megjithatë, nëse kjo do të ishte e vërtetë, kriza në sistemin tonë shkollor nuk do të bëhej një çështje politike dhe autoritetet shkollore nuk do të ishin të paafta për ta trajtuar në kohë. Afërmendsh që ngërthen diçka më tepër sesa pyetja e mistershme se përse Xhoni nuk di të lexojë. Po ashtu, ka përherë një tundim për të besuar se kemi të bëjmë me probleme specifike brendalidhur në kufinjë historikë dhe kombëtarë dhe të rëndësishme vetëm për ata të cilët janë të prekur drejtpërdrejt. Është pikërisht ky besim i cili në kohën tonë ka provuar të kundërtën në mënyrë të vazhdueshme. Bën mirë të merret si rregull i përgjithshëm në këtë vend se çdo gjë që është e mundshme në një vend mundet që në një të ardhme të afërme të jetë po aq e mundshme në një vend tjetër.
Përveç këtyre arsyeve të përgjithshme, që do ta bënin të arsyeshme që njeriu i zakonshëm të shqetësohej për vështirësi në lëmi për të cilat, në syrin e një specialisti, ai mund të mos dijë asgjë (dhe kjo, meqë unë nuk jam një profesioniste arsimi, është po aq edhe rasti im kur merrem me krizën në arsim), ka një arsye tjetër dhe më bindëse pse ai duhet të merret me një situatë kritike në të cilën nuk është përnjëherë i përfshirë. Dhe kjo është mundësia, e dhënë nga vetë kriza – e cila çan fasada dhe zhbën paragjykime – për të eksploruar dhe hetuar gjithçka që është zbuluar nga vetë thelbi i çështjes, dhe thelbi i edukimit është lindshmëria, fakti që qeniet njerëzore lindin në botë. Zhdukja e paragjykimeve thjeshtësisht do të thotë që i kemi humbur përgjigjet në të cilat mbështetemi rregullisht pa e kuptuar se ato ishin fillimisht përgjigje pyetjesh. Një krizë na detyron t’ju kthehemi vet pyetjeve dhe kërkon nga ne qoftë përgjigje të reja apo të vjetra, gjithsesi gjykime të drejtpërdrejta. Një krizë kthehet në fatkeqësi vetëm atëherë kur i përgjigjemi me gjykime të paraformuara, që do të thotë, me paragjykime. Një sjellje e tillë jo vetëm e ashpërson krizën por na bën të humbasim përvojën e realitetit dhe mundësinë për reflektim që ofron.
Sado që të paraqitet qartë një problem i përgjithshëm gjatë një krize, është gjithsesi pothuajse e pamundur për ta izoluar plotësisht elementin universal nga rrethanat konkrete dhe specifike në të cilat shfaqet. Edhe pse kriza në arsim mund të prek gjithë botën, është karakteristik që e gjejmë në formën e vet më ekstreme në Amerikë, për arsye ndoshta sepse vetëm në Amerikë mundet që një krizë në arsim të bëhet faktor në politik. Në Amerikë, në fakt, edukimi luan një rol pakrahasueshmërisht të ndryshëm, përkundër çdo vendi tjetër, qoftë politikisht. Sigurisht që teknikisht, shpjegimi qëndron në atë se Amerika ka qenë përherë një tokë emigrantësh; është e dukshme se bërja e stërmadhe së bashku e grupeve etnike nga më të ndryshmet – asnjëherë plotësisht e suksesshme por vazhdimësisht e suksesshme përtej pritshmërive – mund vetëm të arrihet nëpërmjet shkollimit, arsimimit, dhe amerkianizmit të fëmijëve të emigrantëve. Meqë për pothuajse të gjithë këta fëmijë anglishtja nuk është gjuha e tyre amtare por duhet të mësohet në shkollë, shkollat kësisoj marrin funksione të cilat në shtet-kombe do të kryeshin normalisht në shtëpi.
Akoma më përcaktues për arsyetimin tonë është roli që emigracioni i vazhdueshëm luan në ndërgjegjen politike të vendit dhe në mendësinë e tij. Amerika nuk është vetëm një vend koloni përherë në nevojë për emigrantë për ta populluar, edhe pse e pavarur prej tyre në strukturën e vet politike. Për Amerikën faktori përcaktues ka qenë përherë motoja e shtypur në çdo kartëmonedhë: “Novus Ordo Seclorum”, Një Rend i Ri i Botës. Emigrantët, të sapoardhurit, janë garanci se vendi përfaqëson rendin e ri. Kuptimi i këtij rendi të ri, këtij formësimi të botës së re përkundër të vjetrës, ka qenë dhe është ikje varfërisë dhe shtypjes. Por në të njëjtën kohë madhështia e tij qëndron në faktin se qysh prej fillimit rregulli i ri nuk u shkëput nga bota e jashtme – siç gjetkë ka qenë zakon në themelimin e utopive – në mënyrë për ta vënë përball një modeli perfekt, as nuk pati qëllim të forcojë kërkesa imperialiste apo për t’u predikuar të tjerëve si një zbulesë. Për më tepër lidhja e saj me botën e jashtme është karakterizuar prej fillimit nga fakti se kjo republikë, që kishte për qëllim të shfuqizonte varfërinë dhe skllavërinë, mirëpriri gjithë të varfërit dhe të skllavëruarit e botës. Në fjalët e Xhon Adamsit në 1765 – para Deklaratës së Pavarësisë –, që thotë “ Unë përherë kam konsideruar themelimin e Amerikës si hapja e një skene madhore dhe hyjnore për ndriçimin dhe çlirimin e gjithë njerëzmit të skllavëruar përreth tokës.” Ky është qëllimi themelor ose ligji themelor në përputhje me të cilën Amerkia filloi ekzistencën e vet historike dhe politike.
Entuziazmi i jashtëzakonshëm për të renë, i cili tregohet pothuajse në çdo aspekt të jetës së përditshme amerikane, dhe në besimin e natyrshëm në “përsosje të pafundme” – atë që Tokvili e qëmtonte si një kredo zakonshme të “njeriut të pashkolluar” dhe si e tillë paradaton për gati njëqintë vjet zhvillimin në vende të tjera të Perëndimit – do të sillte një vëmendje dhe rëndësi më të madhe treguar ndaj të sapoardhurve për nga lindja, që janë, fëmijët, të cilët, pasi ta kenë tejkaluar fëmjërinë dhe bëhen gati të hyjnë në komunitete të rriturish si të rinjë, grekët e quanin οί νєοι, të sapoardhur. Ka një fakt shtesë, gjithsesi, një fakt që është bërë përcaktues për domethënien e arsimit, se ky pathos për të renë, edhe pse është më i vjetër se shekulli i tetëmbëdhjetë, u zhvillua konceptualisht dhe politikisht në atë shekull. Prej këtij burimi rrodhi fillimi i një ideali edukimi, ndërlidhur me rusoizëm dhe në fakt i ndikuar direkt nga Ruso, në të cilin edukimi u bë një instrument i politikës, dhe vet aktiviteti politik ishte konceptuar si një formë edukimi.
Roli që ka luajtur arsimi në gjithë utopitë politike nga antikiteti deri sot tregon sesa e natyrshme duket të fillosh një botë me ata të cilët janë të rinj nga lindja dhe natyra. Për aq sa politika është e shqetësuar, kjo përfshinë sigurisht një keqkuptim të thellë: në vend të bashkimit me të barabartin duke marr të mirëqenë përpjekjen për bindje dhe rrezikun për dështim, ndodh një ndërhyrje diktatoriale, bazuar në epërsinë absolute të të rriturve, dhe përpjekjen për të prodhuar të renë si fait accompli, që është, sikur e reja është ndërkaq. Për këtë arsye, në Europë, besimi se për të prodhuar kushte të reja duhet nisur nga fëmijët, ka ngeluar parimisht monopol i lëvizjeve revolucionare me karakter tiranik të cilat, me të ardhur në pushtet, i ndan fëmijët nga prindërit dhe thjesht i indokrinuan ata. Arsimi nuk mund të luaj rol në politik, sepse në politikë na duhet të merremi me ata që janë ndërkaq të arsimuar. Kushdo që do të edukoj të rritur në të vërtetë është duke dashur të sillet si mbikqyrës i tyre dhe ti pendoj ata nga aktiviteti politik. Meqë askush nuk mund të edukoj të rriturit, fjala “edukim” tingëllon dashakeq në politik; ndërkohë që ngrihet pretendimi për edukimi, qëllimi i vërtetë është kontroll pa qenë e nevojshme të përdorësh forcë. Ai që me të vërtetë do të krijoj në rend politik të ri përmes arsimit, që do të thotë, as përmes forcës dhe as përmes shtërngesës, duhet ta ketë të qartë përfundimin e frikshëm platonian; përjashtimin e të gjithë të moshuarve nga shteti që po ndërtohet. Por edhe fëmijëve që synohet t’u mësohet si të jenë qytetar të utopisë së nesërme u mohohet roli i tyre i ardhshëm në trupin politik, ngase, nga këndvështrimi i të rinjëve, çdo e re që bota e të rriturve mund të propozoj është domosdoshmërisht më e vjetër se ata vet. Është në natyrë të vet kushtit njerëzor që secila gjeneratë e re rritet në një botë të vjetër, kështu që të përgatitësh një gjeneratë të re për një botë të re, mund të thotë vetëm t’ja marrësh nga duart të rinjëve vetë mundësinë për të krijuar diçka të re.
Mirëpo kjo nuk është e rastit në Amerikë, dhe pikërisht për këtë arsye është e vështirë t’i gjykosh këto pyetje siç duhet. Roli politik që arsimi me të vërtetë luan në tokën e emigrantëve, fakti se shkolla nuk shërben vetëm për të amerikanizuar fëmijët por prek edhe prindërit gjithashtu, fakti se këtu dikush ndihmon për të rrëzuar një botë të vjetër dhe për të hyrë në një të re, inkurajon iluzionin se bota e re po ndërtohet përmes edukimit të fëmijëve. Sigurisht që e vërteta nuk është e tillë. Bota në të cilën fëmijët prezantohen, edhe në Amerikë, është bota e vjetër, që do të thotë, një botë para-ekzistuese, ndërtuar nga të gjallët dhe të vdekurit, edhe është e re vetëm për ata që kanë ardhur rishtazi përmes emigrimit. Por këtu iluzioni është më i fuqishëm se realiteti sepse lind drejtpërdrejt nga një përvojë themelore amerikane, përvoja se rendi i ri mund të themelohet, dhe për më tepër, themelohet me ndërgjegjen e plotë të një continuum-i (vazhdimësie) historik, ngase fraza “Botë e Re” e merr kuptimin nga Bota e Vjetër, e cila, sado e admirueshme në disa gjëra, është hedhur tutje sepse nuk mund të gjendte zgjidhje për varfërinë dhe shtypjen.
Iluzion i ngritur nga pathosi i së resë ka prodhuar pasojat e veta më shqetësuese vetëm në vendin tonë. Së pari, një kompleks teorish moderne mbi arsimin, të cilat zënë fill në Europën Qendrore dhe konsistojnë në një mishmash të habitshëm kuptimësie dhe marrëzie, nën hyqmin e arsimit progresiv, ka mundësuar një revolucionin radikal në gjithë sistemin e arsimit. Ajo çfarë në Europë ka ngelur vetëm si eksperiment, testuar tek-tuk në shkolla të vetme dhe institucione arsimimi të izoluara dhe më pas shtrihej përshkallëzohej në disa qarqe të kufizuara, në Amerikë rreth njëzetepesë vjet më parë u hodh plotësisht, sa hap e mbyll sytë, gjithë traditat dhe gjithë metodat e stabilizuara të mësimdhënies dhe të të nxënit. Nuk do të ndalem në detaje, dhe nuk flas këtu për shkollat private dhe sistemin arsimor katolik, i cili ka ndjekur rrugën e vetë. Fakt domethënës është sesi për hir të disa teorive, të mira ose të këqija, u hodhën mënjanë gjithë rregullat e arsyes njerëzore të shëndoshë. Një proçedurë e tillë është përherë e një peshë të madhe e të dëmshme, veçanërisht për një vend i cili në jetën e vetë politike mbështetet gjerësisht në arsyen e shëndoshë. Sa herë që, në çështjet politike, arsyeja e shëndoshë dështon apo heq dorë nga përpjekja për të dhënë përgjigje, ne ndeshemi me një krizë; sepse ky lloj arsyetimi është common sense-i me anë të të cilit ne dhe pesë shqisat tona përshtatetmi në një botë të vetme,të përbashkët për të gjithë, dhe fal së cilës lëvizim në të. Zhdukja e common sense-it në kohën e sotme është treguesi më i qartë i krizës. Në çdo krizë një pjesë e botës, diçka e përbashkët për të gjithë ne, shkatërrohet. Dështimi i common sense-it është si një kallam kërkimi lundrues që na tregon vendin ku ka ndodhur shembja.
Në çdo rast përgjigja se përse Xhoni nuk di të lexoj apo pyetja më e përgjithshme se përse standartet skolastike mesatare të shkollave amerikane qëndrojne kaq larg standarteve mesatare në gjithë vendet e Europës nuk është, fatkeqësisht, vetëm se ky shtet është i ri dhe ende si ka mbërritur standartet e Botës së Vjetër por, përkundrazi, se ky vend në këtë lëmi të veçantë është më i “avancuari” dhe më moderni në botë. Është e vërtetë dyfishtësisht: askund tjetër problemet e arsimit të shoqërive të masave janë bërë kaq akute, dhe askund tjetër teorit më moderne në fushën e pedagogjisë janë pranuar kaq paarsyeshëm dhe skllavërisht. Prandaj kriza amerikane në arsim, nga njëra anë, lajmëron falimentimin e arsimit progresiv dhe, nga ana tjetër, prezanton një problem vështirësisht të pamatë sepse ka ngritur krye nën kushtet dhe si përgjigje të kërkesave të shoqërive të masave.
Në lidhje këtu duhet patur parasysh një tjetër faktor i përgjithshëm i cili me të vërtetë nuk e shkaktoj krizën por e rëndoj në një shkallë të stërmadhe, dhe ky është roli unik që koncepti i barazisë luan dhe ka luajtur në jetën amerikane. Është më tepër se barazi para ligjit, më tepër se nivelimin e dallimeve klasore, më tepër se ajo që është shprehur në frazën “mundësi të barabarta”, ka një rëndësi më të madhe pasi në pikëpamjen amerikane e drejta për arsim është një prej të drejtave civile më të patjetërsueshme. Kjo ka luajtur një rol përcaktues në strukturën e sistemit shkollor publik në atë që shkolla se mesme në kuptimin europian ekziston vetëm si përjashtim. Meqë shkollimi i detyrueshëm shtrihet deri në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, secili fëmijë duhet të hyjë në shkollë të mesme, kështu gjimnazi është praktikisht vazhdim i shkollës fillore. Për shkak të mungesës së një arsimi të mesëm të vërtetë, përgatitja për studimet universitare bëhen nga vetë universitetet, gjë që sjell një ngarkesë kronike, e cila nga ana e vet ndikon në cilën e punës akademike që bëhet aty.
Në shikim të parë dikush mund të pandeh se kjo anomali qëndron në vet natyrën e shoqërive të masave në të cilën arsimi nuk është më një privilegj i klasave të pasura. Nëse hedhim vështrimin nga Anglia, ku, siç të gjithë e dimë, arsimi i mesëm është bërë i hapur ndaj të gjitha klasave popullore në këto vitet e fundit, na tregon që ky nuk është rasti. Pasi atje në përfundim të shkollës fillore, nxënës të moshave njëmbëdhjet vjeçare i nënshtohen provimeve të frikshme që krasisin thuajse të gjithë duke kaluar vetëm një dhjetë përqindësh nxënësish të aftë për të vazhduar arsimin e lart. Rreptësia e kësaj zgjedhje u prit me protesta edhe në Angli; kurse në Amerikë do të ishte thjesht e pamundur. Ajo çfarë përpiqet të arrihet në Angli është “meritokracia”, që nuk është gjë tjetër përpos themelimi i një oligarkie, kësaj radhe jo prej pasurisë apo lindjes por prej talentit. Por kjo do të thotë, edhe pse njerëzit në Angli mund të mos jenë fort të qartë për të, se edhe përse vendi drejtohet nga një qeveri socialiste ajo do të vazhdoj të qeveriset ashtu si kur nuk mbahet mend, që do të thotë, as si monarki as si demokraci por si një oligarki ose aristokraci që gjykon se më të talentuarit janë gjithashtu më të mirët, gjë që asnjëherë nuk është e sigurt. Në Amerikë kjo ndarje thuajse fizike e fëmijëve në të talentuar dhe të patalentuar do të konsiderohej e patolerueshme. Meritokracia bie ndesh me parimin e barazisë, e një demokracie egalitariane, jo më pak se çdo oligarki tjetër.
Prandaj ajo çfarë e bën krizën e edukimit në Amerike veçanërisht akute është temperamenti politik i vendit, i cili në vetvete vuan të barazoj ose të zhduk sa më shumë të jetë e mundur dallimin mes të rinjëve dhe të vjetërve, mes – të talentuarve dhe të patalentuarve, e në fund mes fëmijëve dhe të rriturëve, veçanërisht mes nxënësve dhe mësuesve. Ashiqare se ky lloj barazimi mund të arrihet vetëm në kurriz të autoritetit të mësuesve dhe në kurrizë të talentuarëve mes studentëve. Gjithësesi , është po aq e dukshme, së paku për të gjithë që kanë patur kontak me sistemin arsimor amerikan, se kjo vështirësi, rrënjëzuar në sjelljen politike të vendit, ka gjithashtu përparësi të mëdha, jo thjesht njerzore por arsimore gjithashtu; e megjithatë, këta faktor të përgjithshëm nuk mund të shpjegojnë krizën e sotme në të cilën e gjejmë veten as nuk justifikojnë masat fal të cilave kjo krizë është përshpejtuar.
II
Këto masa rrënuese mund të gjurmohen në tre pandehma, të cilat janë tepër familjare. E para është se ekziston një botë fëmijësh dhe bashkë me të një shoqëri e formuar mes tyre e cila është e pavarur dhe duhet sa më shumë që është e mundur t’ju lihet atyre ta qeverisin. Të rriturit mund vetëm të ndihmojnë me këtë qeverisje. Autoriteti që u dikton fëmijëve se çfarë mund të bëjnë dhe çfarë nuk mund të bëjnë qëndron te vetë grupi i fëmijëve – dhe kjo prodhon, mes shumë pasojave, një situatë në të cilën i rrituri qëndron duarlidhur përpara fëmijës individual dhe jashtë çdo kontakti me të. Ai vetëm mund t’i diktoj të bëj çfarë do ai dhe të parandaloj më te keqen të ndodh. Marrëdhënia e vërtetë dhe normale mes fëmjëve dhe të rriturve, ngritur nga fakti se njerëzit e të gjitha moshave janë njëkohësisht së bashku në botë, në këtë rast thyet.Kjo pandehmë e parë merr parasysh vetëm grupin dhe jo fëmijën individual.
Sa për fëmijën pjesë e grupit, ai sigurisht është më keq se më parë. Pasi autoriteti i grupit, qoftë një grup fëmijësh, është ku e ku më i fuqishëm e tiranik sesa autoriteti më i ashpër i një individi. Nëse e shohim nga pikëpamja e një fëmije individual, mundësitë e tij për t’u rebeluar apo të marr në dorë frenat janë praktikisht zero; ai nuk përballet më me një person të rritur që ka epërsi absolute, por ndaj të cilit mund të mbështetet në solidaritetin e fëmijëve të tjerë – përkundrazi, ai përballet me një shumicë absolute përballë së cilës është një pakicë e vetme . Ka shumë pak të rritur që mund ti bëjnë ballë kësaj situate, edhe pa mjete të jashtme detyrimi; për fëmijët, ajo është thjeshtë e padurueshme.
Kështu, duke u “çliruar” nga autoriteti i të rriturve fëmijët nuk janë çliruar por janë bërë subjekt i një autoriteti tiranik akoma më të frikshëm, tirania e shumicës. Kështu mund të themi se fëmijët janë dëbuar nga bota e të rriturve. Ata ose mbyllen në vetvete, ose dorëzohen ndaj tiranisë së grupit të tyre, ndaj së cilës, për shkak të numrit, nuk mund të rebelohen, për shkak të moshës, nuk mund të arsyetojnë si duhet, dhe nga e cila nuk mund t’ja mbathin, sepse bota e të rriturve u është mbyllur. Përgjigja e fëmijëve ndaj këtij presioni tenton të jetë qoftë konformizëm qoftë krim të miturish, dhe shpesh herë është një përzjerje e të dyjave.
Pandehma e dytë rreth krizës së sotme ka të bëjë me mësimdhënien. Nën ndikimin e psikologjisë moderne dhe pragmatizmit, pedagogjia është kthyer në një shkencë të mësimdhënies së përgjithshme, e cila ka qenë krejtësisht e pavarur nga përmbajtja e lëndës që duhet të mësohet. Një mësues, siç mendohet, është një njeri që mund të jap mësim për gjithçka; trajnimi i tij është në mësimdhënie, jo në mjeshtërimin e ndonjë subjekti (lënde) të veçantë. Kjo qasje, siç do të shihet, lidhet ngushtësisht me pandehmën e tretë, atë që ka të bëjë me të nxënin. Kjo ka rezultuar në dekadat e fundit në lënien serioze pas dore të përgatitjes së mësuesve për lëndët e tyre, veçanërisht në shkollat e mesme publike. Meqënëse mësuesi nuk ka nevojë të dijë mirë lëndën e vet, jo rrallë herë ai është veç një orë më tepër i ditur se nxënësit e tij. Kjo nuk do to thotë vetëm që nxënësit janë lënë në dorë të vetvetes, por edhe që burimi më legjitim i autoritetit të mësuesit – fakti që ai di dhe mund të bëjë më shumë se ata – nuk ekziston më. Prandaj mësuesi jo-autoritativ, i cili dëshiron të përmbahet nga metodat e përjashtimit thjesht sepse mund të mbështetet në vetëm autoritetin e tij personal, nuk mund të ekzistojë më.
Por ky rol i dëmshëm që pedagogjia dhe mësimdhënësit e kolegjeve po luajnë në krizën e sotme është mundësuar pikërisht për shkak të teorive moderne mbi nxënien. Kjo është, thjesht aplikimi logjik i pandehmës së tretë, një pandehmë që bota moderne e ka patur prej shekujsh dhe që gjen shprehjen e vetë më të plotë në pragmatizëm. Kjo pandehmë qëndron në atë se mund të dish dhe kuptosh vetëm për aq sa ke mundur të bësh vetë. Aplikimi i këtij parimi në arsim është sa i thjeshtë aq dhe sa i rrëzikshëm: të zëvendësojë të nxënit me të bërit. Arsyeja se përse nuk j’u kushtua rëndësi mjeshtërimit të lëndës nga mësuesit ishte për ta shtyrë atë të ushtroj aktivitetin e vazhdueshëm të mësuarit kështu që ai, siç thanë, nuk do të transferonte “dije të vdekuar” por, përkundrazi, do të demostronte vazhdimisht sesi dija prodhohej. Qëllimi i vetëdijshëm nuk ishte t’ju mësonte dije por t’ju rrënjoste një aftësi, dhe rezultati ishte një lloj transformimi i institucioneve të të nxënit në shkolla profesionale – po aq të afta për të mësuar si të drejtosh makinën, si të përdorësh makinën e shkrimit, “artin” e jetës apo si të shkojmë mirë me të tjerët e të jemi popullor sa ishin të pazonja për t’u mësuar fëmijëve njohuritë themelore të kurrikulave standarde.
Gjithsesi, ky përshkrim është i pasaktë, jo vetëm se dukshëm ekzagjeron me qëllim për të nxjerr në pah argumentin e vet, por sepse dështon të marr në konsideratë sesi në këtë proces një rëndësi e veçantë ishte bashkangjitur shuarjes sa më shumë të jetë e mundur të dallimit mes lojës dhe punës – në favor të së parës. Loja u pa si rruga më e gjallë dhe e duhura për mënyrën si një fëmijë duhet të sillet në botë, si e vetmja formë aktiviteti që lind spontanisht nga vetë natyra e tij si fëmijë. Aktiviteti karakteristik i fëmijës, mendohej se qëndronte në lojra; të mësuarit në kuptimin e vjetër, duke e detyruar një fëmijë në një sjellje pasiviteti, e shtërgonte atë të hiqte dorë nga vetë inciativa e tij.
Kjo lidhje e ngushtë mes këtyre dy gjërave – zvendësimi i të nxënit me të bërin dhe i të mësuarit me të luajturin – ilustrohet direkt në mësimin e gjuhëve: fëmija mëson duke folur, që do të thotë duke bërë, jo duke studiuar gramatikën dhe sintaksën; me fjalë të tjera ai duhet të mësoj një gjuhë të huaj në të njëtën mënyrë ashtu si një foshnjë mëson gjuhën e tij: si një lojë dhe në vazhdimësi të pandërprerë me ekzistencën e tij të përditshme. Përtej pyetjes nëse diçka e tillë është e mundshme apo jo – është e mundur, në një shkallë të caktuar, vetëm duke e mbajtur fëmijën gjithë ditën në një mjedis ku flitet një gjuhë e huaj – është e qartë se kjo procedurë përpiqet vazhdimisht ta mbaj fëmijën sa më gjatë në nivelin foshnjor. Ajo që duhet ta përgatiste fëmijët për botën e të rriturëve – puna dhe serioziteti – është eleminuar për hir të autonomisë së botës së fëmijëve.
Çfarëdo mund të jetë lidhja mes të bërit dhe të diturit, zbatimi i kësaj formule në arsim e absolutiozon botën e fëmijërisë në të njëjtën mënyrë siç e bën pandehma e parë. Nën pretekstin e respektimit të pavarësisë së fëmijës, ai përjashtohet nga bota e të rriturve dhe mbahet artificialisht në botën e vet – për aq sa mund të quhet botë. Mbajtja pas e fëmijës është artificiale sepse këput marrëdhënien natyrore mes të rriturëve dhe fëmijëve, e cila mes të tjerave konsiston në mësim dhe mësimdhënie, dhe sepse mohohet fakti se fëmija është një qenie në zhvillim e sipër, që fëmijëria është një fazë e përkohshme, një përgatitje për botën e të rriturve.
Kriza e sotme në Amerikë është rezultat i njohjes së shkatërrueshmërisë së këtyre pandehmave themelore dhe i nj përpjekje të dëshpëruar për të reformuar gjithë sistemin arsimor – pra, për ta transformuar atë rrënjësisht. Ajo çfarë në të vërtetë po përpiqet të arrihet – përveç planeve për një zgjerim të madh të kapaciteteve në shkencat fizike dhe teknologji – është ripërtëritja e vlerave të vjetra: mësimdhënia do të kryhet edhe njëherë me autoritet; loja dë të ndalohet gjatë orarit të shkollës, dhe do të rikthehet puna e vërtetë; theksi do të zhvendoset nga aftësitë jashtëkurrikulare te njohuritë e përcaktuara nga kurrikula; së fundmi flitet për transformimin e kurrikulës të sotëm për mësuesit ku këta të fundit do të duhet të mësojnë vërtetë diçka para se të merren me fëmijët.
Këta reforma të propozuara, të cilat janë ende të fazë diskutimi dhe të ngritura qartësisht për interesin amerikan, nuk kanë përse të na shqetësojnë këtu në vetvete. As nuk mund të merremi këtu me çështjen më teknike, edhe pse më të rëndësishme në planin afatgjatë , se si të reformohet kurrikula për shkollat fillore dhe të mesme në të gjitha vendet për t’u përshtatur me kërkesat e reja të botës së sotme. Ajo çfarë është e rëndësishme për argumentin tonë është një pyetje e dyfishtë. Cilat aspekte të botës moderne dhe krizës së saj kanë shfaqur veten te kriza në arsim, dhe cilat kanë qenë arsyet e vërteta që për dekada me radhë gjërat që thuhen dhe bëhen janë në një kontradiktë kaq të dukshme me arsyen e shëndoshë? Dhe, e dyta, çfarë mund të mësojmë nga kjo krizë për vet thelbin e arsimit – jo në kuptimin që dikush gjithmonë mund të mësoj nga gabimet se çfarë nuk duhet bërë, por për të reflektuar në rolin që arsimi luan në çdo qytetërim, pra mbi detyrimin që ekzistenca e fëmijëve imponon mbi çdo shoqëri njerëzore. Le t’ja nisim me të dytë.
Shqip: Evi Xhaja
Kjo faqe mirëmbahet me kontribute individuale dhe për këdo që e pëlqen punën e bërë këtu, mund të zgjedh të abonohet duke klikuar butonin në të majtë. Gjithashtu ne do t'ju ishim mirënjohës nëse do të bënit gjithashtu një kontribut simbolik monetar duke klikuar butonin në të djathtë. 😊
Ndalohet riprodhimi dhe shpërndarja pa marr leje paraprakisht.
Komente
Mund të lësh një koment këtu:
Pa komente ende!