F j a l g j ë

© Ernest Pignon Ernest

© Ernest Pignon Ernest

Rrëfime

nga Pier Paolo Pasolini

Ati ynë që je në Qiell,

preh e përqeshjes kurrë skam rënë.

Sytë e mi veshur me një tis të hollë ironie kanë qenë.

Ati ynë që je në Qiell:

shiko birin tënd që , në tokë, është At...

dhe në tokë, s’mbrohet më...

po ta pyesësh, të përgjigjet.

Është fjalëshumë. Si ata që sapo kanë pësuar

një fatkeqësi dhe duket si të janë mbrujtur me fatkeqësi.

madje, ka nevojë të flasë:

aq shumë, sa të flet edhe kur nuk e pyet.

Sa i kotë qenkësh formimi i mirë!

Kurrë skam qenë i pasjellshëm qoftë e një herë në jetën time.

Kisha një qëndrim të patrazuar nga gjësendet, dija e të heshtja.

Për t'u mbrojtur, pas ironisë, kisha heshtjen.

 

Ati ynë që je në Qiell:

u bëra At, dhe grija e pemëve

vyshkur, e pa fruta,

grija e eklipseve, me tënden dorë më ka mbrojtur.

 

Më mbrojti nga skandali, nga dhënia e fuqisë sime të humbur

të tjerëve si kafshatë.

Se, o Zot, kurrë s’kam hedhur as hijen më të vogël të një skandali.

Qesh i mbrojtur nga pasuria ime dhe përvoja

e të pasurit, që më bënte, pra,

ironik, të heshtur e në fund të paprekshëm si ati im.

Tani ti më ke braktisur.

Ah, ah, e di mirë ç'kam ëndërruar

atë pasdite të mallkuar! Të kam ëndërruar Ty.

Ja përse m'u përmbys jeta.

 

Dhe pra, meqë të kam Ty,

përse ti druhem përqeshjes?

Sytë e mi janë shndërruar në dy dritëza qesharake e lakuriqe,

që ndriçojnë shkretëtirën dhe mjerimin tim.

Ati ynë që je në Qiell!

Ç'të bëj me formimin tim të mirë?

Do të fjalosem me ty si një plak, apo punëtor

i gjorë që prej fshati vjen, mbetur thuajse lakuriq

nga vetëdija për katër paret e fituara

e që përnjëherë së shoqes ja jep-duke mbetur pa një kacidhe,

si një miturak, pavarësisht thinjave

dhe pantallonave gri e të lëshuara të një plaku…

 

Do të fjalosem pa pikë turpi

si më të thjeshtët njerëz, që Ty të janë aq të dashur.

A je i kënaqur? Të rrëfej dhimbjen time;

duke pritur përgjigjen tënde

siç pret e urta mace e mjerë

nën tryezë, thërrimet e mbetura: Të shoh, të shoh ngultas,

si një fëmijë i hutur, pa dinjitet mbetur.

 

Ah, ah, emri i papërlyer!

Ati ynë që je në Qiell,

ç'të bëj me emrin e papërlyer dhe fatin

–që dukej një me trupin dhe karakterin tim–

që për asnjë arsye në botë të mos flasin për mua?

Ç'më duhet kjo figurë

kaq mirë e mbrojtur nga të papriturat?

 

Përktheu nga orgjinali: e.g

 

Titulli në orgjinal: Affabulazione-Pier Paolo Pasolini (Einaudi, 1997)

Komente

Mund të lësh një koment këtu:

Pa komente ende!

+ Mbështet!
Pajtohu!