F j a l g j ë

Octavio Paz

Octavio Paz

Dëgjomë si ai që dëgjon shiun

nga Octavio Paz

Octavio Paz(1914-1998) ishte një poet dhe diplomat meksikan. Paz është fitues i çmimit Nobel për letërsi në vitin 1990.

 

Dëgjomë si ai që dëgjon shiun,

as vëmendshëm as shpërqendruar,

hapa të lehtë, shi i imët,

uji ajër, ajri kohë,

dita që s’ikën,

nata që s’vjen,

hije mjegulle,

në të dal të qoshes,

hije të kohës,

në kthesën e këtij çasti pezull,

 

dëgjomë si ai që dëgjon shiun,

pa më dëgjuar, vëmë veshin

sytë kthyer së brendshmi,

duke fjetur me të pesta shqisat zgjuar,

bie shi, hapa të lehtë, murmuritje rrokjesh,

ajër dhe ujë, fjalë që s'peshojnë:

çfarë ishim dhe çfarë jemi,

ditët dhe vitet, ky çast,

kohë pa peshë, rëndesë e pamatë,

 

dëgjomë si ai që dëgjon shiun,

asfalti i njomur shndrit,

avulli ngrihet e ikën,

nata hapet e më sheh,

je ti dhe shtati yt prej avulli,

ti dhe fytyra jote prej nate,

ti dhe flokët e tu, shkrepëtim e ngadaltë,

kryqëzon rrugën e vërshon,

hapa prej uji mbi qepallat e mia,

 

dëgjomë si ai që dëgjon shiun,

alsfati shndrit, ti kryqëzon rrugën,

është mjegulla që endet natën,

është nata që fle në shtratin tënd,

është shkulmi i frymëmarrjes tënde,

gishtat e tua prej uji lagin fytyrën time,

gishtat e tua prej flake djegin sytë e mi,

gishtat e tua prej ajri hapin qepallat e kohës,

burim vegimesh dhe ringjalljesh,

 

dëgjomë si ai që dëgjon shiun,

vitet kalojnë, çastet kthehen,

a i dëgjon hapat në dhomën ngjitur?

as këtu as atje: i dëgjon

në kohë tjetër që është e tanishme,

dëgjo hapat e kohës

shpikës i vendeve pa peshë e vendndodhje,

dëgjo shiun si bie mbi tarracë,

nata është më natë në korije,

në gjethe shtërngatat kanë bërë folenë,

kopsht i vagullt në endje

– eja hyr, hija jote mbulon këtë faqe.

 

Shqip: Evi Xhaja

Komente

Mund të lësh një koment këtu:

Pa komente ende!

+ Mbështet!
Pajtohu!