Katër poezi në shqip nga Louise Glück
nga Louise Glück
Katër poezi në shqip nga Louise Glück
Kujtimi i parë
Kohë më parë, u plagosa. Jetoja
veç për t'u hakmarrë
ndaj tim eti, jo
për atë që ai ishte-
por për atë që unë isha: qysh prej fillimit,
në fëmijëri, mendoja
se dhimbja do të thoshte
se nuk më donin.
Por ajo do të thoshte se unë doja.
Poezi dashuri
Gjithmonë mund të bësh diçka me dhimbjen.
Nëna thur.
Ajo bën shall në çdo nuancë të së kuqes.
Ishin për Krishtlindje, dhe të mbajtën ngrohtë
ndërsa ajo martohej sërisht dhe sërisht, duke të marr me vete
edhe ty. E si mund të funksiononte,
kur për gjithë këto vite ajo e ruajti zemrën e saj të vejushës
a thua sikur i vdekuri të mund të kthehej.
Ja pse ti je ashtu siç je,
e trembur nga gjaku, gratë e tua
si një mur tullash pas një tjetri.
Rrëfim
Të them se se skam frikë-
nuk do të ish e vërtetë.
Kam frikë nga sëmundja, nga poshtërimi.
Si gjithë të tjerët, edhe unë kam ëndrra.
Por kam mësuar t'i mbaj të fshehura,
për të mbrojtur veten
nga përmbushja: çdo lumturi
ndjell zemërimin e Fatit.
Ato janë motra, të egra-
në fund, ato nuk kanë
asnjë ndjenjë tjetër përpos smirës.
Folësit që si zihet besë
Mos ma vërë veshin; zemra më është thyer.
Nuk shoh asgjë objektivisht.
E njoh veten; kam mësuar të dëgjoj si një psikiatër.
Kur flas gjithë pasion,
aty më së paku mund të më zihet besë.
Është vërtetë trishtuese: gjithë jetën time, jam lavdëruar
për zgjuarsinë time, fuqinë e gjuhës, të depërtimit.
Në fund, të gjitha shkojnë dëm-
Unë se shoh kurrë veten,
duke qëndruar te shkallët e hyrjes, duke mbajtur dorën e sime motre.
Prandaj s'mund t'i shpjegoj
të nxirat në krahun e saj, aty ku mbaron mënga.
Në mendjen time, jam e padukshme: prandaj jam e rrezikshme.
Njerëzit si unë, që duken vetëmohues,
ne jemi të gjymtuarit, gënjeshtarët;
ne jemi ata që duhen përjashtuar
në emër të së vërtetës.
Kur hesht, atëherë del e vërteta në sipërfaqe.
Një qiell i hapur, retë si fije të bardha.
Nën të, një shtëpizë gri, azaletë
të kuq dhe rozë të ndezur.
Nëse do të vërtetën, duhet të mbyllesh
ndaj vajzës më të madhe, ta zbosh jashtë:
kur një qenie e gjallë është lënduar ashtu,
në thellësinë e saj,
çdo funksion ndryshon.
Prandaj nuk mund të më zihet besë.
Sepse një plagë në zemër
është gjithashtu një plagë në mendje.
Shqip: E.Xhaja
Ndaje me miqtë 👇
Komente
Mund të lësh një koment këtu:
Pa komente ende!