F j a l g j ë

Katër poezi në shqip nga Mark Strand

Katër poezi në shqip nga Mark Strand

nga Mark Strand

Mark Strand (1934-2014) ishte një poet, eseist dhe përkthyes kanadezo-amerikan. Strand ishte fitues i çmimit Wallace Stevens në vitin 2004.

 

 

T'i mbash gjërat të plota

 

Në një fushë
unë jam mungesa
e fushës.
Kjo është
përherë e rastit.
Kudo që unë jam
jam ajo që mungon.

Kur eci
e ndaj ajrin
dhe gjithmonë
ajri lëviz
të mbush hapësirat
ku ka qenë trupi im.

Ne të gjithë kemi arsye
për të lëvizur.
Unë lëviz
për t'i mbajtur gjërat të plota.

 


Mbejtjet

 

E zbraz veten nga emrat e të tjerëve. I zbraz xhepat.
I zbraz këpucët dhe i lë anash rrugës.
Natën kthej kohën pas;
Hap një album familjar dhe shoh veten si djalosh.

Ç'të mirë sjell? Orët e kanë bërë punën e tyre.
Them emrin tim. Them lamtumirë.
Fjalët ndjekin njëra-tjetrën në erë.
E dua time shoqe, por e kthej mbrapsht.

Prindërit e mi ngrihen nga fronet e tyre
nëpër dhomat e qumështa të reve. Si mund të këndoj?
Koha më thotë se kush jam. Ndryshoj dhe jam i njëjti.
E zbraz veten nga jeta ime dhe jeta ime mbetet.

 


Ardhja e dritës

 

Edhe kaq vonë, ndodh:
ardhja e dashurisë, ardhja e dritës.
Ti zgjohesh dhe qirinjtë janë ndezur sikur vetvetiu,
yjet mblidhen, ëndrrat derdhen në jastëkët e tu,
duke ngritur buqeta të ngrohta ajri.
Edhe kaq vonë, kockat e trupit shkëlqejnë
dhe pluhuri i së nesërmes shpërthen në frymë.

 

 

Frymë

 

Kur t'i shohësh 
thuaju që jam ende këtu,
se qëndroj në një këmbë ndërsa këmba tjetër ëndërron,
se kjo është e vetmja mënyrë,

se gënjeshtrat që u them atyre janë ndryshe
nga gënjeshtrat që i them vetes,
se duke qenë njëkohësisht këtu dhe përtej
po bëhem një fushëpamje,

se ndërsa dielli lind e perëndon unë e di vendin tim,
se fryma është ajo që më shpëton,
se edhe rrokjet e sforcuara të rënies janë frymë,
se nëse trupi është arkëmort, është edhe dollap frymësh,

fryma është një pasqyrë e mjegulluar nga fjalë,
se fryma është gjithë ç'mbijeton thirrjes për ndihmë
teksa hyn në veshin e të huajit
dhe mbetet aty edhe kur bota të jetë zhdukur,

se fryma është fillimi përsëri, se prej saj
çdo qëndresë bie, si kuptimi që ikën
nga jeta, apo errësira që bie nga drita,
se fryma është ajo çfarë u jap kur u dërgoj dashurinë time.

 

 

Shqip: E.Xhaja

Ndaje me miqtë 👇

Komente

Mund të lësh një koment këtu:

Pa komente ende!

Pajtohu!