F j a l g j ë

© Almada Negreiro

© Almada Negreiro

Liria, po, Liria!

nga Fernando Pessoa

Liria, po, liria! - Álvaro de Campos (Fernando Pessoa)

 

Liria, po, liria!

Liria e vërtetë!

Të mendosh pa dëshira dhe pa bindje.

Të jesh i zoti i vetes pa cytje romanesh!

Të ekzistosh pa Frojdin a pa aeroplanë,

Pa kabare, as në shpirt, pa nxitim, as në lodhje!

 

 

Lirinë e endjes, e mendimit të shëndoshë, e dashurisë për gjërat natyrore,

Lirinë për të dashur moralin që i duhet dhënë jetës!

Si drita e hënës kur shpërndahen retë,

Liria e madhe e krishterë e fëmijërisë sime që lutej

Papritmas shtrinë në krejt tokën

Mantelin e e saj të argjendtë për mua...

Liria, kthjelltësia, arsyetim i përpiktë,

Koncept juridik i shpirtit të të tjerëve si njerëzor,

Hareja e të paturit këto gjëra, dhe të mundesh sërish

Të shijosh fushat pa asnjë pikë referimi

Dhe të pish ujë si të ish gjithë verërat e botës!

 

 

Hapa – të gjithë hapa të vegjël fëmije...

Buzëqeshja e plakës së dhembsur...

Shtrëngim-dora e një miku [serioz?]...

Ç’jetë ka qenë kjo e imja!

Sa shumë pritje në staciona të vegjël!

Sa shumë jetë e shtypur në formularët e jetës!

 

Ah, kam një etje të shëndoshë. Ma jepni lirinë,

Ma jepni në kupën e vjetër përbri enës

Të shtëpisë së fshatit të fëmijërisë sime të vjetër...

Unë pija dhe ajo shfrynte,

Unë isha i freskët dhe ajo ishte e freskët

Dhe meqë s’kisha ç’të më brengoste, isha i lirë.

Ku është kupa dhe pafajësia?

Ku është ai që duhet të isha?

Dhe përveç kësaj dëshire për liri, dhe për të mirën dhe për ajër – ç’mbetet nga unë?

 

 

 

Shqip: E.Xhaja

Për ta lexuar në orgjinal, mund të klikohet këtu.

 

Komente

Mund të lësh një koment këtu:

Pa komente ende!

Pajtohu!