Meditim në Lagunitas nga Robert Hass
nga Robert Hass
Meditim në Lagunitas - Robert Hass
I gjithë mendimi i ri flet për humbjen.
Në këtë i ngjan mendimit të vjetër.
Ideja, për shembull, se çdo pjesëz zbeh
qartësinë e ndritshme të një ideje të përgjithshme. Se qukapiku
me fytyrë kllouni, duke shpuar trungun e vdekur e të skalitur
të asaj mështeknës së zezë, është, nga vetë prania e tij,
njëfarë rënie tragjike nga një botë e parë
me dritë të pandarë. Ose nocioni tjetër se,
meqë nuk ka në këtë botë asgjë të vetme
me të cilën shkurret e manaferrës përputhen,
fjala është elegji për atë që ajo shenjon.
Folëm për këtë mbrëmë natën dhe në zërin
e mikut tim, kishte një tel të hollë pikëllimi, një tingull
thuajse ankues. Pas pak e kuptova se,
duke folur kështu, gjithçka shpërbëhet: drejtësia,
pisha, flokët, gruaja, unë dhe Ti. Ish një grua
me të cilën bëra dashuri dhe kujtoj se si, ndonjëherë,
duke mbajtur supet e saj të vegjël në duart e mia,
ndjeja një habi të dhunshme për praninë e saj
si një etje për kripë, për lumin e fëmijërisë
me shelgjet e ishullit të tij, muzikë shushatëse nga anija e kënaqësisë,
vende me baltë kur zumë peshqit e vegjël portokall-argjend
të quajtur peshq dielli. Me të vërtetë s'kish të bënte me të.
Mall, themi, meqë dëshira është plotë
largësi të pafundme. Edhe unë duhet të kem qenë njëlloj për të.
Por mbaj mend kaq shumë, mënyrën sesi duart e saj coptonin bukën,
atë që i ati i tha dhe që e lëndoi, atë që
ajo ëndrronte. Ka çaste kur trupi është po aq i shenjtë
sa fjalët, ditë që janë vazhdim i mishit të mirë.
Aq shumë butësi, atë pasdite dhe mbrëmje,
duke thënë manaferrë, manaferrë, manaferrë.
Burimi: Twentieth-Century American Poetry (2004)
Shqip: E.Xhaja
Ndaje me miqtë 👇
Komente
Mund të lësh një koment këtu:
Pa komente ende!