Një poeti minor të antologjisë - Jorge Luis Borges
nga Jorge Luis Borges
Një poeti minor të antologjisë - Jorge Luis Borges
Ku mbet kujtesa e ditëve
që qenë gjithë të tuat mbi tokë, dhe thurën
gëzim e dhimbje dhe që qenë për ty i gjithë universi?
Lumi i panumërt i viteve
i ka humbur; ishe një fjalë në një indeks.
Të tjerëve perënditë u dhanë lavdi të pafundme,
mbishkrime, epitafe, monumente, historianë të përpiktë;
për ty dimë veç, mik i errët,
se dëgjove bilbilin, një pasdite.
Mes zambakëve të egër të hijes, hija jote e kotë
do të mendojë se perënditë kanë qenë dorështënguar.
Por ditët janë një rrjetë mjerimesh të rëndomta,
a ka fat më të madh se të jesh hiri,
nga i cili përbëhet harresa?
Mbi të tjerët hodhën perënditë
dritën e paepur të lavdisë, që shikon barkun e numëron të çarat,
lavdinë, e cila përfundon duke tharë trëndafilin që adhuron;
ndaj teje qenë më të mëshirshëm, vëllaçko.
Në ekstazën e një muzgu që sdo bëhet natë,
ti dëgjon zërin e bilbilit të Teokritit.
Shqip: e.xhaja
Komente
Mund të lësh një koment këtu:
Pa komente ende!