F.Pessoa
Nuk e di nëse yjet sundojnë këtë botë
nga Fernando Pessoa
Nuk e di nëse yjet sundojnë këtë botë,
As nëse letrat –
Të lojës apo tarotit –
Mund të zbulojnë diçka.
Nuk e di nëse të hedhësh zaret
Nxjerr gjë në dritë.
Por as nuk e di
Nëse, duke jetuar ashtu si të shumtit jetojnë,
Mund të arrihet diçka.
Po, nuk e di
Nëse mund t'i zë besë këtij dielli që del përditë,
Vërtetësinë e të cilit askush nuk mund të ma garantojë,
Ose mos do të ish më mirë, për më mirë apo për më rehat,
Të besoj në të tjerë diej –
Prej atyre që ndriçojnë edhe natën, –
Në ndonjë thellësi farfuritëse të gjërave
Që tejkalon ç’mund të rrok...
Për momentin...
(Le t’ja marrim shtuar)
Për momentin...
Kam parmakun e shkallëve të sigurt,
Të sigurt në dorën time –
Parmak që s’më përket
Dhe në të cilin mbështetem teksa ngjitem...
Po ... Ngjitem...
Ngjitem deri këtu:
Nuk e di nëse yjet sundojnë këtë botë...
Shqip: Evi Xhaja
Komente
Mund të lësh një koment këtu:
Pa komente ende!