F j a l g j ë

© Daniel Martin "Element"

© Daniel Martin "Element"

Pjesëz novele

nga Gurra

Kapitulli I.

Mbrëmja kishte ardhur aq rrëmbyeshëm dhe më gjente të shkërmoqur të gjithin. Ishte një javë aq e pazakontë sa ende nuk kisha një ndjesi të kohës dhe realitetit rreth meje. Si një film bardhezi, prej atyre që shihnim kur ishim të vegjël, më rrotullohej në mendje disa fjalë të nënës që më kishte thënë vite më parë. 

‘-Mos harro! Jeta na shemb shumë herë , na shkund e na përkul, por vetëm një herë, vetëm një herë! Nuk do të lërë as dysheme e as tavan mbi kokë. Duhet të jesh gati. Kur të vijë ajo ditë, mos harro! Lëre të të rrëmbej! Mos lufto! Pranoje fatin tënd! Dorëzohu ! E mbi të gjitha, mos më harro. Kujtomë! Kujtomë ! Mbahu tek unë !’

 -Kujtomë! Kujtomë! - nga gjithë ç’më tha, kjo fjalë e përsëritur dy herë, më kishte kallur tmerrin. 

Një drithërimë më pushtoj të tërin kur ajo bisedë m’u ndërkallë atë mbrëmje të paftuar, të asaj jave të lebetitshme. Teksa shtyja tutje dorezën e derës, dhoma oshtinte e gjitha. 

‘Kujtomë! Kujtomë !’. -‘O Perëndi ! Në ç’ shtigje jam futur vallë !’. 

Nuk arrija ti bëja dot ballë asaj oshtime që më kumbonte në vesh e më përshkruante tërë trupin, trup i cili veç i tillë nuk ishte më. Në vend të tij isha transformuar në një oshtimë, në një fjalë rrënqethëse të sime mëje. As duar, as fytyrë, as këmbë e as trung nuk isha më. Isha vetëm një kujtim, i cili sa ishte një fjalë , aq ishte edhe një kumtë. Një trup-kumtë isha tanimë , me zërin e sime mëje ku vetëm dhimbja e drobitja prej saj ishte e imja. 

Sillesha nëpër shtëpi me këtë trup-kumtë të ri e asaj dija se ku isha e as për ku po shkoja. Vërtitesha sa në një cep dhome në një tjetër duke kërkuar ti ikja këtij trupi të ri që më kishte kallur datën . Sa më shumë që i ikja, aq më tepër e ndjeja timin. Parehatia ndaj këtij trup-kumti sa vinte e tkurrej derisa e kuptova se më përkiste më tepër se trupi i më hershëm. Se veç tani, veç tani kisha njohur trupin tim të vërtetë. Për vite e vite me radhë kisha gjetur strehë në një trup që krejt aksidentalisht kishte qenë i imi por që asnjëherë nuk më kishte mbartur njëpërmend. Do të duhej të ishte kjo javë, kjo mbrëmje , ato fjalë e ai zë, që unë të zija vend në shtatin që i përkisja. Unë isha një turp-kumtë. 

Komente

Mund të lësh një koment këtu:

Pa komente ende!

+ Mbështet!
Pajtohu!