Poezi nga Eugenio Montale
nga Eugenio Montale
Eugenio Montale
Ndoshta një mëngjes
Ndoshta një mëngjes duke ecur në
një ajër të akullt,
të thatë, duke u kthyer pas, do të shoh teksa ngjet mrekullia:
asgjëja pas shpinës sime, zbrazëtia pas meje, një tmerr prej të dehuri.
Pastaj, si mbi një ekran, befas do të shfaqen pemë shtëpi kodra, për mashtrimin e zakonshëm.
Por do të jetë vonë; unë i heshtur do të largohem,
mes njerëzve që s'kthehen pas, me të fshehtën time.
Më sill lulediellin t'a mbjellë
Më sill lulediellin t'a mbjellë
në tokën time djegur nga kripa,
që t'i tregoj tërë ditën
pasqyrave kaltëroshe të qiellit
ankthin e fytyrës së tij verdhake.
Dritën kërkojnë gjërat e errëta
shterohen trupat në një rrjedhje
ngjyrash: bërë muzikë. Zhdukja,
kështu, është më i miri prej fateve.
Më sill bimën që të çon
aty ku tejdukshmëri të arta ngrihen
e jeta avullon si qenësia;
më sill lulediellin çmendur nga drita.
Kushedi, nëse një ditë do t'i heqim maskat
Kushedi, nëse një ditë do t'i heqim maskat
që i mbajmë pa e ditur.
Ndaj është e vështirë të shquajmë
njerëzit që takojmë.
Ndoshta mes të shumtëve, mes milionave ka
një me fytyrë e maskë që përkon
dhe veç ai mund të na thotë
fjalët që kërkojmë.
Por është e mundshme
që as ai vet
nuk e shquan privilegjin e tij.
Kush e diti, në qe një i tillë,
e pagoi dhuratën e tij me çalime fjalësh a në mos më keq.
S'ja vlente t'a gjeje. Emri i tij
qe përherë i pashqiptueshëm
për shkaqe jo veç fonetike. Shkenca ka të tjera gjëra më të mira për të bërë a mos bërë.
Shqip: e.xhaja
Komente
Mund të lësh një koment këtu:
Pa komente ende!