F j a l g j ë

© Aida Lisenkova-Hanemaayer

© Aida Lisenkova-Hanemaayer

Poezi nga Marina Tsvetaeva

nga Marina Tsvetaeva

Marina Ivanova Tsvetaeva ishte një poete ruse. Veprat e saj janë disa ndër më të mirat e letërsisë ruse të shekullit të njëzet. Dy poezitë e sjella më poshtë janë përkthyer nga gjuha angleze. Për t’i lexuar në këtë gjuhë, mund të klikohet këtu.

 

Poezi për Blokun, 1

Emri yt është – një zog në dorën time,

një copë akulli mbi gjuhën time.

Hapje e shpejtë e buzëve.

Emri yt – pesë gërma.

Një top i kapur në fluturim,

një zile e argjendtë në gojën time.

 

Një gurë i hedhur në një liqen të heshtur

është – tingulli i emrit tënd

trokitje e lehtë e patkonjve natën

– emri yt

Emri yt te tëmthat e mi

– kërcitje e mprehtë e një arme të shkrepur.

 

Emri yt – e pamundura –

Puthje mbi sytë e mi,

ftohtësia e qepallave të mbyllura.

Emri yt – një puthje bore.

Gëllnjkë blu e ujit të akullt të burimit

me emrin tënd – gjumi thellohet.

 

 

Nga vjen kjo dehashpirtje kaq e ëmbël?

Nga vjen kjo dehashpirtje kaq e ëmbël?

Këto dredha – nuk janë të parat

që kam përkëdhelur, dhe tashmë

kam njohur buzë – më të errëta se të tuat.

 

Yjet janë ngritur e janë shuar,

– nga vjen kjo dehashpirtje kaq e ëmbël? –

dhe sytë janë ngritur e janë shuar

përballë këtyre syve të mi.

 

Kurrë më parë s’kam dëgjuar

këngë të tilla në thellësi të territ,

– nga vjen kjo dehashpirtje kaq e ëmbël? –

koka ime mbi gjoksin e vetë rapsodit.

 

Nga vjen kjo dehashpirtje kaq e ëmbël?

Dhe ç’të bëj me të, o i zgjuar

endacak i ri, këngëtar shëtitës,

me qerpikë – tepër të gjatë për t’u thënë.

 

 

shqip: e.xhaja

Komente

Mund të lësh një koment këtu:

Pa komente ende!

Pajtohu!