Fjalgjë
Aguliçet; një tregim i shkurtër.
Ilustrim i gjeneruar me IA.
Evi Xhaja · 27 Shtator 2026 · 2 min lexim

Aguliçet; një tregim i shkurtër.



 

Nga të gjitha rrugët nga të cilat mund të kishte zgjedhur, kjo qëllonte të ishte më e largëta. Se për çfarë arsye zgjodhi pikërisht këtë kur i duhej të mbërrinte sa më shpejt, nuk dinte ta thoshte. Në kokën e tij, ngjarjet rridhnin aq shpejt, sa pa përfunduar njëra ia kish nisur tjetra. Kështu kujtesa e tij ishte e thërrmuar, e çarë, asnjëherë njëvijëzore. Të gjitha këto i mbante të lidhura i njëjti kordon, formësuar dorë më dorë, nga pak pikëllim, angushti, terror e nostalgji. Me të vërtetë ai nuk kishte kurrëfarë ideje seç ngjante me të, por paradoksalisht ky kordon kujtese i shërbente, edhe ashtu i rëndë siç ishte, për të ruajtur një lloj baraspeshe të brendshme. Kjo rrugë dhe kjo zgjedhje nuk bënte dallim nga çdo ngjarje a zgjedhje tjetër në jetën e tij. Të rrije e ta shoshisje përsenë ishte punë e kotë. Të gjitha këto i silleshin ndërmend teksa ecte me nxitim në atë udhë që si shihej fundi. Shashoja i pati thënë se duhej mbërritur sa më parë, se puna nuk priste dhe babai duhej vënë në djeni. Disa udhëzime do të duhej t’i jepte.

Nëpër këto anë kish kaluar për herë të fundit dymbëdhjetë vite të shkuara. Atëherë ishte fare fëmijë. Ishte stina kur çelte aguliçja dhe gjithë fshatin e gjeje teksa çapitej për të mbledhur sa më shumë. Kush ishte më i shëndoshë e i kamur, ndjente një farësoj droje se mos i linte shokët me trasta bosh. Këtë drojë e vinte re veçanërisht tek gjyshi, i cili, teksa kthehej mbrëmjeve të shtëpi, nuk i shpëtonte shikimit jo pak shpotitës të së shoqes edhe pse rrekeje me sa të mundte t’i ikte. Ajo thuaj ia lexonte mendimet dhe nuk e kursente thuajse asnjëherë. Ata ishin familja më e kamur e fshatit dhe gjyshi përherë e shmangte kohën e aguliçes.

Në ato zona ishte traditë. Sa dilte prilli, të gjithë niseshin të mblidhnin këtë bimë shëronjëse. Ajo përdorej nga banorët në rast infeksionesh dhe plagësh. Infeksionet i kishin prej skamjes ndërsa plagët prej luftës, e cila, në këto troje dukej se nuk kish kurrë të sosur. Një biolog francezë që i kish rënë rruga kësaj ane në ecejakjet e tij nëpër këtë skaj të harruar të kontinentit të vjetër, kish thënë se me këtë bimë mund të bëheshin barna që shëronin kaq e kaq sëmundje. Pas tij francezë të tjerë erdhën, kësaj radhe bashkë me tregtar që flisnin shqip. Me traditën e vjetër tashmë mund të bëhej para. 

Në ditarin e tij, mbajtur në lëkurë dele, gjen të shkruar disa rreshta që i korrespondonin asaj dite. Ndërsa po lexonte, një lëmsh iu bë në grykë.

Unë nuk kuptoja seç po ndodhte, por nga frika në fytyrat e grave dhe duhanit që sa fikej e ndizej në buzët e burrave, përkundër shkujdesjes së zakonshme të fëmijëve, mund ta merrja me mend se asgjë e mirë nuk pritej. Ama s’mund ta thosha nëse do të kishim të mbjella të pakta, krizë urie apo çizme të huaj.


 

Shkëputur nga një novelë në proces shkrimi.

Shpërndaje këtë shkrim:

Lexo edhe:

Dhuro