You, Wind of March - Cesare Pavese
Je jeta dhe je vdekja.
Erdhe në mars
mbi tokën e zhveshur -
drithërima jote zgjat.
Gjak pranvere
- fillikate a re -
hapi yt i lehtë.
shkeli tokën.
Dhimbja rifillon.
Hapi yt i lehtë
rihapi dhimbjen.
E ftohtë ishte toka
nën qiellin e varfër,
e palëvizshme dhe e mbyllur
në një ëndërr të mprirë,
si ai që më nuk vuan.
Edhe ngrica qe e ëmbël
thellë në zemër.
Mes jetës dhe vdekjes
shpresa heshtte.
Në çdo gjë që jeton
tani ka një zë e një gjak.
Tani toka dhe qielli
janë një drithërimë e fortë,
shpresa i përdredh,
mëngjesi i trondit,
hapi yt i përmbyt,
fryma jote e agimit.
Gjak pranvere,
e gjithë toka dridhet
nga një drithërimë e lashtë.
E rihape dhimbjen.
Je jeta dhe je vdekja
Mbi tokën e zhveshur
kalove lehtë,
si dallëndyshe a re,
dhe rrëkeja e zemrës
u rizgjua dhe shpërtheu,
u pasqyrua në qiell
dhe pasqyroi gjërat -
dhe gjërat, në qiell dhe në zemër
vuajnë e përpëliten
në pritjen tënde.
Është mëngjesi, është agimi,
gjak pranvere,
ti shkele tokën.
Shpresa përdridhet,
dhe të pret e të thërret.
Je jeta dhe je vdekja.
Hapi yt është i lehtë.
Shqip: E.Xhaja
Burimi: “Verrà la morte e avrà i tuoi occhi”, Einaudi, Torino, 1951
Ndiqni Fjalgjë-në
Na gjeni edhe në rrjetet sociale për të mos humbur shkrimet dhe përditësimet e reja.