Fjalgjë
Nostalgjia - Billy Collins
Billy Collins
Billy Collins · 16 Gusht 2026 · 1 min lexim

Nostalgjia - Billy Collins

 

Të kujtohet 1340-ta? Ne po vallëzonin atë që quhej Katapulta.
Ti vishje gjithmonë kafe, ngjyrën më në modë të atij dhjetëvjeçari,
kurse unë mbështillesha me një nga ato pelerinat aq popullore,
me njëbrirësha dhe shegë gjilpërqëndisura.
Të gjithë ndalonim pasditeve për birrë e qepë,
netëve luanim atë lojën që i thoshin 'Gjeje lopën'.
Gjithçka shkruhej me dorë atëherë, jo si sot.

Ku shkoi vera e 1572-shit? Brokodat dhe maratona sonetesh
ishin në modë. Ne visheshim me flamujt
e baronieve kundërshtare dhe pushtonim njëri-tjetrin në dhoma të ftohta guri.
Në sallën e vallëzimit të gjithë po ushtronim Përleshjen,
ndërsa motra jote ushtronte e vetme në dhomë Dafinën.
Për të folurën tonë huazuam fjalorin e nallbanëve.
Sot gjuha ngjan e tejdukshme, si një kod i thyer keqas.

1790-ta nuk do të kthehet kurrë më. Fëmijëria ishte diçka e madhe.
Njerëzit shëtisnin deri në majat e kodrave
dhe shkruanin në ditarët e tyre atë që shihnin, pa folur.
Jakoret ishin të larta dhe kapelet tepër të buta.
Ne befasonim njëri-tjetrin me alfabete bërë me degëza.
Ishte një kohë e mrekullueshme të ishe i gjallë, apo qoftë edhe i vdekur.

Më pëlqen shumë periudha midis 1815-tës dhe 1821-shit.
Europa dridhej, ndërsa ne rrinim të palëvizur për portretet tona.
Do të doja shumë të kthehesha në 1901-shin, qoftë për një çast,
aq sa për të kurdisur një kuti muzikore e për të hedhur disa hapa vallëzimi,
ose më riktheni në 1922-shin ose 1941-shin, ose, të paktën, të mund
të rigjeja qetësinë e muajit të shkuar,
kur mblidhnim manaferra dhe rrëshqisnim pasditeve me kanoe.

Edhe ky mëngjes ishte ku e ku më mirë se e tashmja.
Unë isha në kopsht, rrethuar nga gumëzhimat e bletëve
dhe emrat latinë të luleve, duke parë dritën e parë
të vezullonte mbi xhamat e pjerrët të serrës,
dhe të vishte me argjend, rresht pas rreshti, 
të errëtat degë halore.

Si përherë, po mendoja për çastet e së shkuarës,
duke e lënë kujtesën time të vërshonte mbi to si uji
që rrjedh përmbi gurë në fund të një përroi.
Po mendoja paksa edhe për të ardhmen, atë vend
ku njerzit po hedhin një valle që ne as nuk mund ta përfytyrojmë,
një valle emrin e së cilës mund veç ta marrim me mend.

 

Shqip: E.Xhaja

Burimi: Questions About Angels (University of Pittsburgh Press, 1991)

Shpërndaje këtë shkrim:

Lexo edhe:

Dhuro