Fjalgjë
Pararendësit; poezi në shqip nga Juan Carlos Mestre

Juan Carlos Mestre · 14 Korrik 2026 · 1 min lexim

Pararendësit


Pararendësit e mi shpikën Udhën e Qumëshit,
asaj qellësie të pambuluar i dhanë emrin nevojë,
urisë i dhanë emrin muri i urisë,
varfërisë i dhanë emrin e gjithë ç'nuk është e huaj për varfërinë.
Pakgjë mund të bëjë një njeri me mendimin e urisë,
veç të vizatoj një peshk në pluhurin e udhëve,
veç të kaloj detin mbi një kryq druri.
Pararendësit e mi kaluan detin përmbi një kryq druri,
por s'kërkuan audiencë,
ndaj endeshin nëpër dosje e regjistra,
si iriqët dhe hardhucat shtigjeve të fshatrave.
Dhe mbërritën në tokat ranore,
ku dheu shkëlqen si luspat e peshkut,
ku jeta njeh vetëm ditët të gjata shiu e pastaj ditë të gjata ere.
Pakgjë mund të bëjë një njeri që në jetë ka njohur veç këto.
veçë të flejë i mbështetur në mendim e urisë
ndërsa dëgjon kuvendin e harabelave në hambar,
veç të mbjellë dru që lulëzojnë në çarçafët e pemishteve,
të ec zbathur mbi dheun që shkëlqen
e të mos varros në të bijtë e tij.
Pararendësit e mi shpikën Udhën e Qumështit,
asaj qellësie të pambuluar i dhanë emrin e nevojë,
e kaluan detin mbi një kryq druri.
Pastaj i vunë emrin urisë, që zotëria i urisë
të quhej i zoti i shtëpisë së urisë,
dhe endeshin udhëve,
ashtu si iriqët dhe hardhucat shtigjeve të fshatrave.
Pakgjë mund të bëj një njeri me thërrimet e mëshirës,
veç të hajë bukë të lagur ditëve të shiut,
pas të cilave të vijnë sërisht ditë të gjata ere,
dhe të flasë për nevojën,
të flasë për nevojën siç flitet në fshatra
për të gjitha gjërat e vogla që mund të mbështillen me kujdes në një shami.

 

 

Shqip: E.Xhaja

Burimi: https://www.juancarlosmestre.com/antepasados/ 

Shpërndaje këtë shkrim:

Lexo edhe:

Dhuro